f

qitu ja qet shkrimin qe ta qoj edhe save okej tane me postu qet tani sen sposton kjo del e bloger mas 2-3 dite tu rritet kliku ahaa okej pra

Monday, July 30, 2012

Rrëfimi rrëqethës i Nebiut, babait të këngëtares Dafina Zeqiri: Ma mori ish-gruaja kur isha në burg


Rrëfimi rrëqethës i Nebiut, babait të këngëtares Dafina Zeqiri: Ma mori ish-gruaja kur isha në burg
“Dafinën nuk e kam takuar që kur ishte 2 vjeç, ajo më refuzon”

Historia që do zbulojmë në vazhdim, nuk ka të bëjë me emisionin ”Njerëz të humbur”,  por ajo është një ngjarje e cila pas vetes ka plot 22 vite. Tentativat e një babai për të takuar të bijën, të cilën ia kanë larguar nga shtëpia në moshën 2-vjeçare. Një takim i pamundur i një babai që ende e ka zemrën të djegur që nuk po mund të komunikojë me vajzën e tij. Një pamundësi apo një mungesë e shansit për ta takuar, kjo nuk dihet. Nebih Bajraktari është i ati i këngëtares së njohur Dafina Zeqiri, e cila që nga mosha 2-vjeçare kur është larguar nga shtëpia e saj me të ëmën, nuk e ka takuar të atin.
Ajo me të ëmën kishin braktisur Kosovën duke u vendosur në Suedi, ndërsa Nebihu kishte ngelur në Kosovë pasi ishte i burgosur nga Policia serbe e më pas ka qenë pjesëtar aktiv në luftë. Ai jeton sot me familjen dhe 5 fëmijët e tij, ndërsa ka dhe një mesazh për Dafinën, që të takohet vetëm një orë me të dhe t’i tregojë gjithë të vërtetën siç ia ka treguar motrës së saj, Besës. Në vazhdim lexoni këtë rrëfim rrëqethës…
Na trego pak për fëmijërinë e Dafinës, çfarë fëmije ka qenë dhe në cilën moshë e kanë larguar nga ju?
Aq sa mundem, ndonëse nuk kam asnjë fshehtësi, do doja që të mos i shkaktoj asnjë të keqe vajzës. E vogël ka qenë shumë aktive, fëmijë i veçantë, Besa ka qenë më e urtë, kurse Dafina më “agresive”. Unë jam i ati i Dafina dhe Besa Zeqirit, ato kanë mbiemrin e nënës për arsye se nëna e tyre është larguar nga unë dhe më vonë mori edhe dy vajzat, Dafinën dhe Besën. Ato janë larguar nga unë në moshën dyvjeçare.
Sa kohë keni qenë në martesë me të ëmën e Dafinës? 
Kam qenë 4 vite.
I kujtoni ju vetëm ato 2 vitet e para që keni qenë bashkë, po pastaj pse vendosi ish-bashkëshortja juaj t’ju ndajë me vajzat?
Për arsye interesi më shumë sesa dashurie, ndaj vajzave të veta. Ajo ka ikur në Suedi, kurse unë atë kohë jam burgosur. Nëna e Dafinës ka punuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, kishte mundësi të bënte gjithçka që dëshironte.
Ke pasur mall për vajzat, kur i ke takuar ato për herë të fundit?
Nuk di si ta përshkruaj mallin ndaj fëmijëve që i desha dhe i pagëzova, Dafina dhe Besa. Besën unë e kam takuar pas 21 vitesh, mund të shihni dhe foton në profilin tim, ai takim ishte gëzimi më i madh i jetës sime pas çlirimit të Kosovës, që edhe unë isha pjesë e saj në vitin 1998.
Po tani cili është raporti juaj me vajzat, veçanërisht me Dafinën?
Me Dafinën nuk jam takuar asnjëherë, kam tentuar disa herë por nuk kam pasur sukses. Kurse me Besën jam takuar në momentin kur e ëma e saj e largoi nga apartamenti dhe e hodhi në rrugë. Kishte ngelur pa të holla dhe pa rroba dimri dhe për fatin tim një shoqe i kishte thënë pse nuk i kërkon ndihmë babait tënd, ndoshta nuk është dhe ai si mamaja. Kështu që unë menjëherë udhëtova drejt Suedisë dhe i ofrova ndihmë dhe deri tani po kalojmë shumë mirë bashkë. Besa ka probleme me të ëmën për shkak se takohet me mua, ajo nuk do që vajza të mbajë kontakt me mua, por sidoqoftë të gjitha të këqijat them se janë zbuluar e Dafina nuk e di deri kur do të mbajë këtë qëndrim.
Ish-bashkëshortja juaj jua ka marrë me dhunë vajzat?
Melihatja i ka marrë vajzat në të njëjtën ditë kur unë jam arrestuar nga policia.

Ne Foto Dafina e vogël me të ëmën

Cilat kanë qenë tentativat tuaja për të takuar Dafinën, nuk ka dashur ajo të takohet?
Kam tentuar përmes një shoqeje të saj, ajo është mjeke me profesion, kurse bashkëshorti i saj është kryekameraman në RTV21. Kam pirë kafe me ta dhe ua kam shpjeguar të gjitha si ka ndodhur dhe kam kërkuar që të kem një takim e t’ia tregoj të vërtetën, por nuk kam pasur sukses. Madje kam qenë në një mbrëmje në Gjermani, i dola përpara, por ajo është larguar menjëherë nga skena e kështu edhe kjo tentativë dështoi.
Sikur ta lexojë ajo këtë intervistë, çfarë mesazhi do i kishit dhënë?
Kisha një lutje, që vetëm një orë të takohem me të dhe të bisedoj që t’ia tregoj të vërtetën. Jam një baba që e dua shumë, sikur të ishte e mundur do të bëja gjithçka që është e mundur dhe e ndershme vetëm që ta dijë të vërtetën sikur motra e saj, Besa.
Po Besa tani jeton me ju bashkë? 
Jo, ajo ka shtetësinë suedeze dhe jeton atje, tani është punësuar, jeton vetëm, por kontaktojmë shumë shpesh me njëri-tjetrin.
Si e shihni karrierën e Dafinës si këngëtare, si e keni pritur lajmin që ajo po merret me muzikë?
Sigurisht që e kam pritur me shumë kënaqësi, për herë të parë e kam parë në një emision ku ajo ka interpretuar këngën e parë në Suedi. I kam thënë bashkëshortes sime, sikur po më duket  e njohur kjo vajza, e ndërkohë papritur i del emri poshtë në titra Dafina Zeqiri, ky ka qenë takimi i parë përmes televizionit.

Ne foto Dafina me njërën prej motrave nga babai

Tashmë jeni i martuar e përveç Besës e Dafinës, keni edhe fëmijë të tjerë dhe një familje sigurisht?
Jam i martuar, kam 5 fëmijë, plus Besa e Dafina. Jetoj shumë mirë, jam veteran i luftës, kam arritur të ndërtoj shtëpinë time në Ferizaj, kurse fëmijën më të vogël e kam 14 vjeç.
Po kur lexon artikuj mbi jetën private të Dafinës të prekin?
Më prekin shumë, në zemër kam dhimbje e në shpirt, jam munduar që ta ndihmoj sa ka qenë në lidhje me Krenarin. Kam pasur shumë herë kontakt me të atin e Krenarit, unë dhe bashkëshortja ime kemi biseduar shumë gjëra me Sadikun, më ka njoftuar për të gjitha që kanë ndodhur. Mes Dafinës dhe nënës së saj ka pasur shumë probleme me prindërit e Krenarit, por aq sa kam mundur kam bërë. Më e keqja është se kur babai i Krenarit i kishte thënë Dafinës pse nuk takohesh me babain tënd, ajo kishte ikur pa i kthyer përgjigje.  PanoramaPlus